Hyrje
TEKNIKU SH.P.K., NUB 810232851, NRF 600094932, Kompleksi Industrial TEKNIKU, Fsh. Lug Bunar, 50000 Gjakovë, Republika e Kosovës; tel. +383 43 893 242, 0390 326 497; info@tekniku.net; www.tekniku.net (në tekstin e mëtejmë: “TEKNIKU” ose “Shitësi”).
TEKNIKU është prodhues, shitës dhe servisues i pajisjeve për mbrojtje nga zjarri dhe vepron në bazë të autorizimeve të AME–MPB nr. 164/02, 166/02, 167/02, 168/02 dhe 169/02, si dhe si Trup i Autorizuar i Ministrisë së Ekonomisë për enët nën presion sipas Autorizimit PP-08-2025.
TEKNIKU® është markë tregtare e regjistruar pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në regjistrin e markave tregtare nr. 32564, nr. i aplikimit KS/m/2023/101.
Këto Kushte janë hartuar në bazë të legjislacionit të Republikës së Kosovës, veçanërisht:
- Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD);
- Ligjit nr. 05/L-110 për Vonesat në Pagesa në Transaksionet Tregtare;
- Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit (për blerësit konsumatorë);
- Ligjit nr. 08/L-261 për Mbrojtjen nga Zjarri dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
- Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
- legjislacionit tatimor në fuqi, përfshirë atë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Dispozita të përgjithshme dhe fusha e zbatimit
Të gjitha shitjet, dorëzimet dhe shërbimet e TEKNIKU kryhen ekskluzivisht sipas këtyre Kushteve të Përgjithshme (në tekstin e mëtejmë: “Kushtet”), përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe me shkrim.
Kushtet e përgjithshme të blerjes ose çfarëdo kushte të tjera të Blerësit nuk zbatohen, edhe nëse TEKNIKU nuk i ka kundërshtuar shprehimisht, përveç nëse TEKNIKU i ka pranuar ato me shkrim.
Kushtet në versionin e tyre të fundit i bashkëngjiten çdo liste çmimesh, oferte dhe konfirmimi porosie, dhe publikohen në www.tekniku.net. Porosia e bërë në bazë të listës së çmimeve ose ofertës së TEKNIKU konsiderohet pranim i këtyre Kushteve.
Nëse Blerësi nuk i kundërshton me shkrim Kushtet brenda 8 (tetë) ditësh nga marrja e konfirmimit të porosisë, Kushtet konsiderohen të pranuara.
Kur Blerësi është konsumator në kuptim të Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, dispozitat e këtyre Kushteve zbatohen vetëm në masën që nuk i kufizojnë të drejtat që konsumatorit i garanton ligji. Dispozitat e shënuara si “vetëm për Blerës biznesor” nuk zbatohen ndaj konsumatorëve.
Marrëveshjet individuale me shkrim (kontrata shërbimi dhe furnizimi, oferta të pranuara) kanë përparësi ndaj këtyre Kushteve.
Listat e çmimeve, ofertat dhe lidhja e kontratës
Listat e përgjithshme dhe të veçanta të çmimeve të TEKNIKU janë informative dhe vlejnë deri në publikimin e listës së re.
Ofertat e TEKNIKU vlejnë për afatin e shënuar në ofertë; nëse afati nuk është shënuar, oferta vlen 30 (tridhjetë) ditë nga data e lëshimit.
Porosia e Blerësit është ofertë detyruese. Kontrata konsiderohet e lidhur vetëm kur TEKNIKU e konfirmon porosinë me shkrim (përfshirë email-in) ose kur fillon dorëzimin ose kryerjen e shërbimit.
Të dhënat teknike, dimensionet, peshat, ngjyrat, fotografitë dhe përshkrimet në katalogë, fletë teknike, manuale, faqen e internetit dhe materialet promovuese janë informative dhe nuk përbëjnë garanci për cilësi ose qëndrueshmëri, përveç nëse janë pjesë e shprehur e kontratës individuale. TEKNIKU rezervon të drejtën për ndryshime teknike që nuk ndikojnë në funksionin, certifikimin ose përputhshmërinë e produktit me standardet përkatëse (p.sh. SK EN 3).
Ndryshimet ose anulimi i porosisë pas konfirmimit janë të mundshme vetëm me pëlqimin me shkrim të TEKNIKU. Për produktet e prodhuara ose të porositura posaçërisht për Blerësin (p.sh. me etiketim, ngjyrë ose përmbajtje të veçantë), Blerësi mban kostot e materialeve dhe punës së kryer deri në momentin e anulimit.
Çmimet, kushtet e pagesës, vonesa në pagesë
Vlejnë çmimet e shënuara në ofertë ose në konfirmimin e porosisë. Kur çmimi nuk është caktuar shprehimisht, vlen çmimi i listës së TEKNIKU në fuqi në ditën e lidhjes së kontratës. Çmimet shprehen në euro (€), pa TVSH, përveç nëse shënohet ndryshe.
Çmimeve u shtohet TVSH-ja sipas normës ligjore në fuqi në ditën e furnizimit. Kostot e transportit, paketimit të veçantë, sigurimit të transportit dhe, për dorëzimet jashtë Kosovës, doganat dhe tarifat e vendit pranues, faturohen veçmas, përveç nëse oferta parasheh ndryshe.
Nëse pas lidhjes së kontratës dhe para dorëzimit ndodhin rritje të konsiderueshme të kostove që nuk varen nga TEKNIKU (lëndë e parë, energji, kurse këmbimi, tarifa doganore), TEKNIKU ka të drejtë t’i përshtatë çmimet, duke e njoftuar Blerësin me shkrim para hyrjes në fuqi. Nëse Blerësi nuk pajtohet brenda 8 (tetë) ditësh nga njoftimi, secila palë mund të heqë dorë nga pjesa e papërmbushur e kontratës pa të drejtë dëmshpërblimi.vetëm për Blerës biznesor
Për porositë me vlerë neto nën 100,00 €, TEKNIKU mund të aplikojë tarifë administrimi prej 25,00 € për porosi.
Përveç nëse është rënë dakord ndryshe me shkrim:
- porositë e para, porositë nga Blerës të rinj dhe produktet e prodhuara posaçërisht paguhen me parapagim 100% para fillimit të prodhimit ose dorëzimit;
- faturat për Blerësit me marrëdhënie të vazhdueshme paguhen brenda 15 ditëve nga data e faturës, pa zbritje.
Pagesa konsiderohet e kryer në ditën kur shuma kreditohet në llogarinë bankare të TEKNIKU të shënuar në faturë. TEKNIKU pranon pagesa me transfer bankar; pagesat me para në dorë pranohen vetëm brenda kufijve të lejuar me ligj dhe kundrejt kuponit fiskal.
Blerësi pranon që faturat t’i dërgohen në mënyrë elektronike, në format PDF, në adresën e email-it të dhënë nga ai.
Me kalimin e afatit të pagesës, Blerësi bie në vonesë pa pasur nevojë për vërejtje të veçantë. Për transaksionet tregtare, TEKNIKU ka të drejtë për kamatë vonese sipas Ligjit nr. 05/L-110 për Vonesat në Pagesa në Transaksionet Tregtare (norma referente e publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës plus së paku 8 pikë përqindjeje), si dhe për kompensimin e shpenzimeve të rikuperimit të borxhit të parashikuar me këtë ligj. Ndaj konsumatorëve zbatohet kamata ligjore sipas LMD-së.
Nëse Blerësi është në vonesë, nëse i ndërpret pagesat, nëse ndaj tij fillon procedura e falimentimit ose nëse TEKNIKU merr informata të bazuara që vënë në dyshim aftësinë paguese të tij, TEKNIKU ka të drejtë:
- t’i kërkojë menjëherë të gjitha detyrimet e papaguara, edhe ato që nuk kanë arritur afatin;
- të pezullojë dorëzimet dhe shërbimet e mëtejme deri në pagesë ose dhënien e garancisë së mjaftueshme (p.sh. garanci bankare);
- të anulojë afatet e pagesës së dhëna dhe të kërkojë parapagim.
Blerësi mund të bëjë kompensim ose të mbajë pagesën vetëm për kërkesa të pakontestuara ose të vërtetuara me vendim gjyqësor të formës së prerë.vetëm për Blerës biznesor
Për dorëzimet jashtë Republikës së Kosovës vlen lista e veçantë e çmimeve për eksport ose oferta individuale. Furnizimet për eksport faturohen me TVSH 0%, në përputhje me legjislacionin tatimor, me kusht që të sigurohet dokumenti doganor i eksportit. Përveç nëse është rënë dakord ndryshe me shkrim, porositë për eksport paguhen me parapagim 100% para dorëzimit.
Afatet e dorëzimit dhe forca madhore
Afatet e dorëzimit dhe të kryerjes së shërbimeve janë orientuese, përveç nëse janë konfirmuar me shkrim si afate fikse. Afati fillon pas konfirmimit të porosisë, pagesës së parapagimit (kur kërkohet) dhe sigurimit nga Blerësi të të gjitha të dhënave, lejeve dhe qasjes në objekt që nevojiten.
TEKNIKU ka të drejtë për dorëzime të pjesshme, të cilat mund të faturohen veçmas, përveç nëse dorëzimi i pjesshëm nuk ka interes për Blerësin.
Nëse TEKNIKU vonohet për shkaqe për të cilat përgjigjet, Blerësi duhet t’i caktojë me shkrim një afat shtesë të arsyeshëm, jo më të shkurtër se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune. Pas kalimit të pafrytshëm të këtij afati, Blerësi mund të heqë dorë me shkrim nga kontrata për pjesën e padorëzuar.
TEKNIKU nuk përgjigjet për vonesa ose mospërmbushje të shkaktuara nga forca madhore dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paparashikueshme që nuk varen prej tij, si: zjarri, vërshimet, fatkeqësitë natyrore, epidemitë, grevat, ndërprerjet e energjisë, mungesa e lëndës së parë, vonesat e furnizuesve, pengesat në transport, mbyllja e kufijve, masat e autoriteteve shtetërore, kufizimet në import ose eksport. Në këto raste afati zgjatet për kohëzgjatjen e pengesës plus një periudhë të arsyeshme rifillimi.
Nëse pengesa sipas pikës 4.4 zgjat më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë, secila palë mund të heqë dorë me shkrim nga kontrata për pjesën e prekur, pa të drejtë dëmshpërblimi.
Nëse Blerësi nuk e pranon mallin në kohën e njoftuar, TEKNIKU mund ta ruajë mallin në rrezik dhe shpenzim të Blerësit dhe ta faturojë si të dorëzuar.
Kalimi i rrezikut, transporti, paketimi
Përveç nëse është rënë dakord ndryshe me shkrim, dorëzimi bëhet në magazinën e TEKNIKU në Lug Bunar, Gjakovë (EXW, Incoterms® 2020). Rreziku i humbjes ose dëmtimit aksidental kalon te Blerësi në momentin kur ai njoftohet se malli është gati për t’u marrë.
Kur TEKNIKU organizon transportin, rreziku kalon te Blerësi në momentin e dorëzimit të mallit te transportuesi, ose, kur transportin e kryen TEKNIKU me automjetet e veta, në momentin e dorëzimit në vendin e caktuar. Për konsumatorët, rreziku kalon në momentin kur malli i dorëzohet konsumatorit.
Fikëset dhe enët nën presion transportohen sipas rregullave për transportin e mallrave të rrezikshme (ADR), kur ato zbatohen. Blerësi që e merr vetë mallin përgjigjet për ngarkimin dhe transportin e sigurt.
Paketimi standard përfshihet në çmim. Paketimi i veçantë me kërkesë të Blerësit faturohet veçmas.
Dëmtimet e dukshme gjatë transportit Blerësi duhet t’i shënojë në fletëdërgesë në prani të transportuesit dhe t’ia njoftojë TEKNIKU me shkrim brenda 2 (dy) ditëve pune.
Për dorëzimet jashtë Kosovës, Blerësi përgjigjet për respektimin e rregullave të importit, certifikimit, transportit, ruajtjes dhe përdorimit të mallit në vendin pranues, përveç nëse është rënë dakord ndryshe me shkrim. Incoterms e rëna dakord zbatohen në versionin e tyre të fundit.
Ruajtja e pronësisë
Malli i dorëzuar mbetet pronë e TEKNIKU deri në pagesën e plotë të çmimit dhe të gjitha detyrimeve të tjera të Blerësit që rrjedhin nga e njëjta kontratë (rezervim i së drejtës së pronësisë sipas LMD-së).
Deri në kalimin e pronësisë, Blerësi është i detyruar ta ruajë mallin me kujdes dhe nuk mund ta lëshojë peng ose ta japë si garanci. Blerësi biznesor mund ta rishesë mallin në rrjedhën e rregullt të veprimtarisë, por në atë rast i cedon TEKNIKU kërkesat ndaj blerësve të tij deri në shumën e detyrimit të papaguar.
Për çdo sekuestrim ose ndërhyrje të palëve të treta në mallin e TEKNIKU, Blerësi e njofton TEKNIKU menjëherë me shkrim.
Nëse Blerësi vonohet në pagesë për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë, TEKNIKU, pasi ta ketë njoftuar me shkrim, ka të drejtë të heqë dorë nga kontrata dhe të kërkojë kthimin e mallit të papaguar. Shpenzimet e marrjes mbrapsht i bart Blerësi, ndërsa vlera e mallit të kthyer, pas zbritjes së shpenzimeve dhe zhvlerësimit, kompensohet me detyrimin e Blerësit.
Pranimi i mallit dhe reklamacionet
Blerësi është i detyruar ta kontrollojë mallin menjëherë pas pranimit, sidomos sasinë, llojin, dëmtimet e dukshme dhe treguesin e presionit të fikëseve.
Të metat e dukshme dhe mospërputhjet në sasi ose lloj Blerësi biznesor duhet t’i njoftojë me shkrim pa vonesë, e më së voni brenda 8 (tetë) ditëve nga pranimi. Të metat e fshehta duhet të njoftohen pa vonesë pas zbulimit. Pas kalimit të këtyre afateve, Blerësi humb të drejtat nga përgjegjësia për të meta, në përputhje me LMD-në.
Konsumatorët i ushtrojnë të drejtat e tyre për mospërputhje të mallit brenda afateve të Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Reklamacioni duhet të përmbajë numrin e faturës ose fletëdërgesës, përshkrimin e të metës dhe, sipas mundësisë, fotografi. Malli i reklamuar ruhet në gjendjen në të cilën është gjetur dhe vihet në dispozicion të TEKNIKU për kontroll.
Reklamacioni nuk e shtyn detyrimin e pagesës për pjesën e pakontestuar të faturës.
Garancia
TEKNIKU garanton që produktet e prodhuara prej tij janë pa të meta në material dhe punim dhe janë në përputhje me standardet e deklaruara, për afatet në vijim, të llogaritura nga data e dorëzimit:
| Produkti / shërbimi | Afati i garancisë |
|---|---|
| Fikëset e prodhimit TEKNIKU (trupi i enës) | 5 vjet |
| Fikëset e prodhimit TEKNIKU (valvula, gypi, manometri) | 12 muaj |
| Produktet e prodhuesve të tjerë | sipas garancisë së prodhuesit |
| Mbushja dhe servisimi | deri në kontrollin e radhës periodik, por jo më shumë se 6 muaj |
Gjatë afatit të garancisë, TEKNIKU sipas zgjedhjes së vet e riparon ose e zëvendëson produktin me të meta. Nëse riparimi ose zëvendësimi nuk është i mundur, Blerësi ka të drejtë për ulje të çmimit ose, për të meta thelbësore, për shkëputje të kontratës. Pjesët e zëvendësuara bëhen pronë e TEKNIKU.
Garancia nuk vlen për:
- konsumimin normal dhe materialet harxhuese (agjenti shuarës, plombat, vulat);
- dëmtimet nga përdorimi i gabuar, goditjet mekanike, rrëzimet ose montimi jo sipas udhëzimeve;
- produktet që janë servisuar, mbushur ose riparuar nga persona të paautorizuar;
- mosrespektimin e kontrolleve periodike të detyrueshme sipas legjislacionit në fuqi dhe udhëzimeve të prodhuesit;
- ruajtjen në kushte jashtë kufijve të temperaturës së shënuar në etiketë;
- përdorimin e fikëses për shuarjen e zjarrit (pas përdorimit fikësja duhet të rimbushet).
Garancia sipas këtij neni nuk i kufizon të drejtat ligjore të konsumatorit për mospërputhje të mallit.
Shërbimet: servisimi, testimi, montimi, asgjësimi dhe trajnimet
TEKNIKU kryen servisimin e fikëseve, testimin e presionit të rrjetit hidrantor, matjen e rezistencës së tokëzimit të rrufepritësve, trajnimet për mbrojtje nga zjarri dhe kontrollin e enëve nën presion në bazë të autorizimeve përkatëse të AME–MPB dhe të Ministrisë së Ekonomisë, sipas metodologjisë dhe standardeve në fuqi.
Blerësi siguron qasje të lirë dhe të sigurt në objekt dhe në pajisje në kohën e rënë dakord, një person kontakti, si dhe furnizim me ujë dhe energji kur kërkohet për testim. Vizita e pasuksesshme për shkak të Blerësit faturohet sipas listës së çmimeve.
Për çdo shërbim TEKNIKU lëshon raport ose procesverbal (në formë elektronike ose të shtypur), i cili i dërgohet Blerësit me email. Raporti pasqyron gjendjen e pajisjeve në ditën e kontrollit.
Pajisjet që gjatë kontrollit vlerësohen si jofunksionale, të skaduara ose të rrezikshme shënohen në raport dhe, sipas rastit, tërhiqen nga përdorimi. Riparimi, rimbushja ose zëvendësimi i tyre kryhen me pëlqimin e Blerësit dhe faturohen veçmas.
Blerësi mbetet përgjegjës për mirëmbajtjen e rregullt të pajisjeve ndërmjet kontrolleve periodike, për njoftimin e TEKNIKU për çdo përdorim ose dëmtim të pajisjeve dhe për respektimin e afateve të kontrollit sipas Ligjit nr. 08/L-261 dhe akteve nënligjore. TEKNIKU nuk përgjigjet për gjendjen e pajisjeve që Blerësi nuk ia ka vënë në dispozicion për kontroll.
Për trajnimet, TEKNIKU lëshon certifikata vetëm për pjesëmarrësit që e kanë përfunduar programin. Anulimi nga Blerësi më pak se 3 (tri) ditë pune para datës së trajnimit faturohet 50% e vlerës.
Fikëset dhe pajisjet që gjatë kontrollit vlerësohen të skaduara, të dëmtuara pa mundësi riparimi ose të rrezikshme, me pëlqimin e Blerësit, merren nga TEKNIKU për asgjësim në përputhje me rregullat për menaxhimin e mbeturinave dhe enëve nën presion. Asgjësimi faturohet sipas listës së çmimeve në fuqi. Pasi pajisja të jetë tërhequr dhe asgjësuar, Blerësi nuk mund ta kërkojë mbrapsht.
Pas përfundimit të montimit të hidranteve, kabineteve hidrantore dhe pajisjeve të tjera, palët nënshkruajnë procesverbal pranimi. Vërejtjet për punët e dukshme Blerësi duhet t’i paraqesë në procesverbal ose me shkrim brenda 8 (tetë) ditëve nga përfundimi i montimit. Pas kalimit të këtij afati, ose kur Blerësi fillon t’i përdorë pajisjet, puna konsiderohet e pranuar, pa cenuar përgjegjësinë për të metat e fshehta.
Njoftimet që TEKNIKU u dërgon Blerësve për afatet e kontrolleve periodike (p.sh. përmes email-it ose aplikacioneve të veta) janë shërbim vullnetar informues. Përgjegjësia ligjore për respektimin e afateve të kontrollit periodik mbetet te pronari ose shfrytëzuesi i objektit, dhe TEKNIKU nuk përgjigjet nëse njoftimi nuk dërgohet ose nuk arrin.
Kufizimi i përgjegjësisë
TEKNIKU përgjigjet pa kufizim për dëmet e shkaktuara me qëllim ose nga pakujdesia e rëndë, si dhe për dëmet ndaj jetës dhe shëndetit të njeriut.
Për pakujdesi të lehtë, TEKNIKU përgjigjet vetëm për shkeljen e detyrimeve thelbësore kontraktuale dhe vetëm deri në shumën e dëmit të parashikueshëm dhe tipik për atë lloj kontrate, por jo më shumë se vlera e kontratës përkatëse.vetëm për Blerës biznesor
Përveç rasteve sipas pikës 10.1, TEKNIKU nuk përgjigjet për fitimin e humbur, ndërprerjen e punës ose dëmet indirekte.vetëm për Blerës biznesor
Përgjegjësia e TEKNIKU për shërbimet e kryera mbulohet me sigurim të përgjegjësisë ndaj palëve të treta, në shumën dhe kushtet e policës në fuqi.
Kufizimet e këtij neni nuk zbatohen kur ligji parasheh përgjegjësi të detyrueshme, përfshirë përgjegjësinë për produktin me të meta dhe të drejtat e konsumatorit.
Kthimi i mallit
Kthimi i mallit pa të meta është i përjashtuar, përveç nëse TEKNIKU e pranon paraprakisht me shkrim.vetëm për Blerës biznesor
Kur TEKNIKU e pranon kthimin, malli duhet të jetë i papërdorur, me plombë të paprekur dhe në paketimin origjinal. TEKNIKU mban 30% të vlerës së faturës për kontroll, ripërpunim dhe ripaketim. Transporti i kthimit është në llogari të Blerësit.
Për mallin e pranuar mbrapsht, TEKNIKU lëshon notë krediti që përdoret për kompensim me blerjet e ardhshme dhe nuk paguhet në para.
Produktet e prodhuara ose të personalizuara posaçërisht për Blerësin nuk kthehen.
Për konsumatorët, në shitjet jashtë lokaleve afariste dhe në distancë, zbatohet e drejta ligjore e tërheqjes sipas Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Ndalimi i bartjes, mbrojtja e të dhënave, fletët e sigurisë, marka tregtare, konfidencialiteti
Pa pëlqimin paraprak me shkrim të TEKNIKU, Blerësi nuk mund t’ia bartë ose lëshojë peng palëve të treta të drejtat dhe kërkesat ndaj TEKNIKU.
TEKNIKU i përpunon të dhënat personale të Blerësit dhe të personave të tij të kontaktit vetëm për lidhjen dhe përmbushjen e kontratës, faturimin, raportet e servisimit dhe detyrimet ligjore, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Fletët e të dhënave të sigurisë, deklaratat e përputhshmërisë dhe certifikatat e produkteve i vihen në dispozicion Blerësit me kërkesë në info@tekniku.net ose dorëzohen bashkë me mallin, kur kjo kërkohet me ligj.
Emri, logoja dhe markat e TEKNIKU (përfshirë markën tregtare të regjistruar TEKNIKU®, reg. nr. 32564, dhe “Vala e Gjelbërt”), si dhe dokumentet teknike, ofertat dhe raportet, mbeten pronë e TEKNIKU dhe nuk mund të kopjohen ose t’u jepen palëve të treta pa pëlqimin e tij, përveç për nevojat e Blerësit ndaj autoriteteve kompetente.
Partnerët, distributorët dhe rishitësit mund ta përdorin markën TEKNIKU® dhe markat e produkteve të saj në reklama, katalogë, faqe interneti ose rrjete sociale vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të TEKNIKU dhe sipas udhëzimeve të saj. Ndalohet ndryshimi, mbulimi ose heqja e etiketave, shenjave të certifikimit dhe numrave serikë të produkteve.
Palët i trajtojnë si konfidenciale planet dhe dokumentacionin teknik të objekteve, raportet e kontrollit, çmimet dhe kushtet e ofertave, si dhe informatat e tjera afariste që i marrin nga pala tjetër. Këto nuk u zbulohen palëve të treta pa pëlqim me shkrim, përveç kur kërkohet nga autoritetet kompetente ose me ligj. Ky detyrim vlen edhe pas përfundimit të marrëdhënies kontraktuale.
Ligji i zbatueshëm, juridiksioni, dispozitat përfundimtare
Vend i përmbushjes për dorëzimet është magazina e TEKNIKU në Lug Bunar, Gjakovë, ndërsa për pagesat llogaria bankare e TEKNIKU e shënuar në faturë, përveç nëse është rënë dakord ndryshe.
Për marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet TEKNIKU dhe Blerësit zbatohet ekskluzivisht e drejta e Republikës së Kosovës. Zbatimi i Konventës së KB-së për Kontratat për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG) përjashtohet.
Palët përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me marrëveshje. Nëse kjo nuk arrihet, për kontestet me Blerës biznesor është kompetente gjykata kompetente lëndore e Republikës së Kosovës sipas selisë së TEKNIKU (për kontestet ekonomike, Gjykata Komerciale e Kosovës). TEKNIKU ka të drejtë ta padisë Blerësin edhe në gjykatën e selisë së tij. Për konsumatorët zbatohen rregullat ligjore të kompetencës.
Ndryshimet dhe plotësimet e kontratës dhe e këtyre Kushteve janë të vlefshme vetëm në formë të shkruar; forma e shkruar plotësohet edhe me email.
Nëse ndonjë dispozitë e këtyre Kushteve është ose bëhet e pavlefshme, kjo nuk ndikon në vlefshmërinë e dispozitave të tjera. Dispozita e pavlefshme zëvendësohet me dispozitën ligjore që i afrohet më së shumti qëllimit të saj.
Këto Kushte janë hartuar në gjuhën shqipe. Në rast mospërputhjeje me përkthimet në gjuhë të tjera, vlen versioni në gjuhën shqipe.
Këto Kushte hyjnë në fuqi më 02.11.2026 dhe zbatohen për të gjitha porositë e pranuara pas kësaj date.